Reporting House, ka organizuar më 26.06.2025, duke filluar nga ora 19:00, hapjen e ekspozitës “Fragmente të Mbijetesës”, të artistit 18-vjeçar nga Gaza, Hussein al-Jerjawi, dhe kuruar nga Gazmend Ejupi, e cila është aktualisht e hapur në Galerinë e Reporting House në Prishtinë.Njëkohësisht, nëse kushtet në terren e lejojnë, Hussein do të lidhet drejtpërdrejtë me audiencën e Reporting House përmes video-linkut nga Gaza për të ndarë përvojën e tij personale të rrugëtimit të tij të rezistencës përmes artit – duke pikturuar mbi thasë ndihmash humanitare të miellit, si një akt i fuqishëm i mbijetesës, kujtesës dhe sfidës.
I zhvendosur pesë herë që nga shpërthimi i luftës në tetor 2023, Hussein ka shndërruar traumën e tij në protestë vizuale, duke përdorur materialin më të thjeshtë në dispozicion – thasët e ndihmave të UNRWA-s – në vend të pëlhurës.
Pikturat e tij simbolike dhe tronditëse pasqyrojnë ekzistencën e plasaritur të jetës nën rrethim dhe tregojnë një histori që shkon përtej statistikave dhe titujve të lajmeve.“Kur pikturoj mbi një thes mielli, ndjej sikur po shkruaj historinë tonë me një penel të lagur në dhimbje dhe qëndresë,” – tha Hussein al-Jerjawi për Al-Jazeera.
Ky aktivitet është pjesë e misionit tonë në Reporting House për të reflektuar mbi ndikimin e luftës dhe konfliktit dhe për të amplifikuar zërat nga shoqëritë që formësohen përmes rezistencës dhe luftës për dinjitet.