Më 1 tetor 2025, në Reporting House u shënua 28-vjetori i Protestave Studentore të 1 Tetorit 1997 – një ndër ngjarjet më të rëndësishme të rezistencës qytetare në Kosovë.
Në një panel të hapur me publikun, pjesëmarrësit patën rastin të dëgjojnë rrëfimet e organizatorëve dhe protagonistëve të asaj proteste – Bujar Dugolli, Driton Lajçi, Mihane Salihu-Bala dhe Remzie Shahini-Hoxha – të cilët ndanë përvojat e tyre mbi organizimin, sfidat dhe vendosmërinë që karakterizoi atë brez studentësh.
Protesta e 1 Tetorit erdhi si përgjigje ndaj viteve të shtypjes sistematike, përjashtimit të shqiptarëve nga institucionet arsimore dhe mësimit në kushte të rënda, në shtëpi private dhe hapësira të improvizuara. Ajo shënoi një kthesë nga një rezistencë pasive në një mobilizim të hapur dhe të guximshëm për të drejtat themelore.
Ngjarja në Reporting House rikujtoi jo vetëm një moment kyç në historinë tonë të afërt, por edhe fuqinë transformuese të angazhimit studentor dhe rëndësinë e kujtesës kolektive.