Hapja zyrtare e Reporting House

Reporting House është dëshmi e punës së madhe që kanë bërë gazetarët vendorë e ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë.

Reporting House është dëshmi e punës së madhe që kanë bërë gazetarët vendorë e ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë. E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Pjesë e kësaj konference ishin: Jeta Xharra, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN Kosova dhe producente e ekspozitës, Gazmend Ejupi, kurator i ekspozitës, David Loyn, korrespondent i BBC TV gjatë luftës në Kosovë, Vaughan Smith, producent dhe kameraman i reportazheve të BBC-së, Emir Suljagiq, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë (Bosnjë dhe Hercegovinë), Lana Çmajqanin, artiste nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Donika Shahini Lami, gazetare dhe përkthyese gjatë luftës për Televizionin Publik Japonez NHK dhe revistën “Kombi”.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV (NHK, TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV spanjoll) dhe Frontline Television News. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.