Këto letra rebele të dashurisë janë shkëmbyer mes dy guerilëve, Xhevë Krasniqi Lladrovcit dhe Fehmi Lladrovcit.

Ato u shkruan mes viteve 1985-1990, kur Fehmiu ishte i burgosur politik në Stara Gradishkë, burg famëkeq i ish-Jugosllavisë, në kohën kur ata dy ishin pak më shumë se një muaj që ishin fejuar dhe ai u dënua me 10 vjet burgim për pjesëmarrje në lëvizjet ilegale për të drejtat e shqiptarëve. Ata ishin 30 vjeçarë.

Fehmiu i propozoi Xhevës që të mbeteshin shokë, në mënyrë që ajo të mos e priste aq gjatë për t’u martuar me të, por ajo i dha besën që do ta priste. Xheva, e cila kishte përfunduar studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe, po vazhdonte studimet e juridikut.

Këto kostume në mur janë pikërisht ato që Xheva i veshi kur shkoi nuse. Nuk u vesh në të bardha, por në të kuqe, për të simbolizuar rezistencën. Rezistencën Xheva ia kishte caktuar vetes si detyrë, deri në ditën kur u vra duke luftuar me forcat serbe, më 22 shtator 1998, bashkë me Fehmiun. E ekspozuar në mur është gjoksorja që ajo e pati veshur kur u vra, dhe ia mbante municionin dhe granatat.

Gjatë viteve të burgut nisi një korrespondencë e veçantë e një dashurie të pakonsumuar plotësisht në liri. Letrat e Xhevës ishin aq spirituoze, lirike, motivuese dhe romantike, saqë shumë të burgosur të tjerë politikë shqiptarë i lexonin dhe ia recitonin njëri-tjetrit, duke gjetur në to frymëzim. Ata rrëfejnë se si letrat e Xhevës i dispononin dhe i forconin moralisht, duke ua ushqyer imagjinatën dhe shpresën për të përfytyruar një jetë të bukur në Kosovën e lirë, pas daljes nga burgu.

Fehmiu e Xheva e dinin që kur shkruanin, nuk shkruanin vetëm për njëri-tjetrin, por për një komunitet miqsh dhe familjarësh. Dhe tash, për herë të parë, kjo korrespondencë bëhet publike edhe për gjenerata të reja në ‘Reporting House’.

Gjatë kohës që po e priste Fehmiun, ajo ia mësoi shkrim-leximin nënës së tij, në mënyrë që edhe ajo të mund t’i shkruante të birit në burg. Njëkohësisht, Xheva u angazhua për të drejtat e vajzave, të cilave u mohohej mundësia për të vazhduar shkollimin e mesëm asokohe në Drenas.

Kur Fehmiu doli nga burgu, Xheva dhe ai shërbyen si pjesëtarë të Gardës Shqiptare në Kroaci, e cila luftonte për çlirim në vitin 1992. Sipas shoqeve të Xhevës, gjatë viteve që çifti jetoi në Gjermani (1993–1997), ajo përgatitej fizikisht me ecje duke mbajtur pesha, si dhe me çiklizëm, për luftën e pashmangshme. Në vitin 1997 lufta erdhi dhe ajo hyri në Kosovë përmes Shqipërisë dhe iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Letrat e Xhevës janë ruajtur me shumë kujdes nga familjarët, sidomos nga Selim Krasniqi, vëllai i Xhevës, bashkëluftëtar i UÇK-së. Këto letra që i shihni janë kopje, pasi që ekspozimi i letrave origjinale në muze mund t’i dëmtonte.

Në egërsinë e ftohtë e të lagësht të burgut, me të burgosur të ngjeshur njëzet e pesë veta në një dhomë, humori i veçantë, intelekti dhe guximi i Xhevës frymëzuan të tjerët. Mes tyre ishte Adem Demaçi, i ashtuquajturi Mandella i Kosovës, i cili kaloi 15 vjet në këtë burg.

“E jotja gjer në varr”, shkruante Xheva para 40 vitesh. Dhe ashtu ndodhi. Një dekadë pasi shkroi këto fjalë, ndërsa e luftonte Serbinë në Drenicë në 1998, Fehmiu u plagos. Xhevës i tha të tërhiqej. Xheva refuzoi. Pasi ai dha shpirt, ajo qëndroi pranë tij duke luftuar deri në fundin e idhët dhe heroik!

Përmbajtje e ngjashme