Më 7 mars, në hapësirat e Reporting House organizuam një diskutim të dedikuar historisë së Shtëpive-Shkolla gjatë viteve ’90 – një kapitull i rëndësishëm i qëndresës për arsimin në gjuhën shqipe.
Pas heqjes së autonomisë së Kosovës në vitin 1989, sistemi arsimor u vu nën kontrollin e Beogradit. U ndalua përdorimi i gjuhës shqipe në shkolla, ndërsa mësimdhënësit dhe nxënësit shqiptarë u përballën me dhunë, përjashtime nga puna dhe përpjekje sistematike për asimilim. Si përgjigje, lindi një formë e re rezistence: Shtëpitë-Shkolla – hapësira private ku dijet u ruajtën dhe u bartën me sakrificë dhe përkushtim.
Ky diskutim, i organizuar në kuadër të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, solli në vëmendje rrëfime personale dhe reflektime nga ata që ishin pjesë e këtij sistemi alternativ arsimor, si dhe nga studiues dhe artistë që e trajtojnë këtë periudhë në punën e tyre.
Të ftuar në panel ishin:
Zijadin Gashi, kryetar i Këshillit të Arsimit të Komunës së Prishtinës (1990–1999)
Linda Gusia, sociologe dhe ish-nxënëse në Shtëpinë-Shkollë në Herticë
Gresa Neziri, nga projekti “Shtëpitë Shkolla”
Vullnet Jakupi, artist
Kjo ngjarje shërbeu si një hapësirë reflektimi për të kuptuar më thellë rëndësinë e dijes si formë rezistence dhe për të nderuar punën e mësimdhënësve që sfiduan represionin për të mbajtur arsimin gjallë.