Më 6 shtator, kuratorja e njohur me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Fatos Üstek, vizitoi për herë të parë Kosovën për të prezantuar librin e saj më të ri, “Arti I Institucionit të së nesërmes: Rishpikja e modelit”, në Reporting House në Prishtinë. Në një diskutim të moderuar nga kuratori Gazmend Ejupi, Üstek foli për nevojën urgjente të transformimit të institucioneve të artit, të cilat, sipas saj, po përballen me një “krizë ontologjike” në një botë të tronditur nga kriza politike, klimatike, shëndetësore dhe sociale. “Institucionet e artit po stagnëjnë,” tha ajo, duke theksuar rëndësinë e rishikimit të qëllimit, mënyrës së vendimmarrjes dhe rolit që ato luajnë sot.
Üstek vlerësoi modelin që përfaqëson Reporting House, duke e krahasuar me formatin e bienaleve të vetëdijshme shoqërore si ajo e Gwangju-së, të cilat reflektojnë mbi realitetet historike dhe politike përmes artit. Ajo theksoi se në vende si Kosova, ku ende nuk ekziston një strukturë e ngurtë institucionale, ekziston një mundësi e jashtëzakonshme për të ndërtuar institucione të reja, të pavarura dhe vizionare. “Ju keni një mundësi të madhe për të krijuar strukturën tuaj — dhe kjo është një privilegj i vërtetë,” u shpreh ajo.
Duke reflektuar mbi rrugëtimin e saj si kuratore, Üstek ndau përvojën e vitit 2015, kur realizoi 50 ekspozita brenda 50 javësh, duke punuar me artistë të rinj për të sfiduar vetveten. Si ish-studente e matematikës, ajo promovon një qasje multidisiplinare në art dhe thekson se autonomia institucionale — financiare, sociale dhe politike — është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe kuptimplotë të artit.