Më 02.05.2025 në Reporting House u zhvillua një diskutim me Feride Rushitin, themeluese dhe drejtoreshë e QKRT-së, e cila foli për ndikimin negativ të vendimit të Administratës Trump për ndërprerjen e ndihmës ndaj dy projekteve kyçe në fushën e shëndetit mendor dhe shërbimeve psikosociale. Ajo theksoi ndërprerjen e aktiviteteve, përfshirë projektin me psikologë në shkolla në komunat e Gjilanit dhe Prishtinës, dhe rëndësinë e vazhdimit të këtyre shërbimeve për trajtimin e traumave dhe dhunës seksuale.
Rushiti njoftoi se po zhvillohen biseda me organizata lokale dhe ndërkombëtare për të siguruar përkrahje të përkohshme dhe për të gjetur donatorë të rinj, me shpresën që pas rivlerësimit këto projekte do rifillojnë. Vendimi i Administratës Trump, që prek edhe kontraktuesit e USAID-it globalisht, ka rënduar situatën pasi USAID-i është një prej donatorëve më të mëdhenj në Kosovë, duke mbështetur zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e demokracisë për më shumë se 25 vjet.