25 vjet të partneritetit gjermano-kosovar!
Sot në Reporting House, shënuam 25 vjet të një partneriteti të fuqishëm dhe të shumanshëm ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, përmes panelit të diskutimit që organizuam në lidhje me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e marrëdhënieve gjermano-kosovare.
Moderuar nga gazetari i FAZ Michael Martens, paneli prezantoi disa nga zërat kryesorë në këtë diskurs: Manuel Sarrazin, Përfaqësuesi Special i Qeverisë Gjermane për Vendet e Ballkanit Perëndimor; Donika Emini, Eksperte dhe Hulumtuese e Lartë e Sigurisë; dhe publicisti Veton Surroi.
Panelistët trajtuan një sërë temash, duke përfshirë pritjet fillestare, sfidat me të cilat ballafaqohen, si dhe zhvillimin ndër vite të këtij partneriteti që daton nga viti 1990 – një periudhë e shënuar me kriza dhe ikje të shumë kosovarëve në Gjermani.Roli kryesor i Gjermanisë gjatë Luftës së Kosovës dhe përfshirja e saj e vazhdueshme përmes investimeve financiare, janë gurë themelet e këtij partneriteti të qëndrueshëm. Derisa diskutimi preku sfidat, momentet e dyshimeve dhe pritshmërive gjatë rrugës, ai pasqyroi po ashtu frymën e kësaj marrëdhënie unike.
Ndërsa biseda u kthye me fokus nga e ardhmja, panelistët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në dritën e sfidave globale dhe evropiane. Ky partneritet qëndron si një dëshmi e lidhjeve të thella të krijuara gjatë dekadave, me të dy vendet e përkushtuara ndaj një vizioni të përbashkët për stabilitet dhe integrim në rajon.