Më 14 prill 2025, organizatat që mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë lanësuan fushatën avokuese “Trauma nuk ka afat” në muzeun Reporting House në Prishtinë, në shënim të Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të Luftës. Në këtë ditë, për herë të parë, një burrë, Ramadan Nishori, rrëfeu publikisht për dhunën seksuale që pësoi nga forcat serbe gjatë luftës 1998-1999. Fushata synon zgjatjen e afatit për aplikim për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale, të cilin qeveria e Kosovës e zgjati për dy vite, deri më 15 maj 2027.
Drejtorja e BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra, theksoi se kjo zgjatje erdhi si rezultat i bashkëpunimit të të mbijetuarve, organizatave të grave dhe partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Ambasadën Britanike. Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, nënvizoi rëndësinë e shënimit të 14 prillit si ditë memoriale për të gjithë të mbijetuarit. Vasfije Krasniqi, gruaja e parë që rrëfeu publikisht për traumën e saj, kërkoi që afati për aplikim të bëhet i përhershëm, duke theksuar se krimet e luftës nuk skadojnë.
Në panelin e diskutimit ishin edhe të mbijetuar të tjerë si Shyhrete Tahiri-Sylejmani. Sipas zyrtarëve, gjatë luftës ndodhën rreth 20 mijë raste të dhunës seksuale, ndërsa nga shkurt 2018 deri në qershor 2024, mbi 2,000 persona kanë aplikuar për njohjen e statusit të viktimës. Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, gjithashtu kërkoi heqjen e afatit në tërësi, duke thënë se Kosova duhet të jetë gati të mbështesë të mbijetuarit kurdo që ata jenë gati të flasin.