Lansimi I projektit “Gratë e UÇK-së rrëfejnë”

Me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Komuna e Prishtinës ka lansuar projektin “Gratë e UÇK -së rrëfejnë”, në Reporting House.  Ky projekt dokumenton rolin e grave nga rajoni i Prishtinës në luftën për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Komuna e Prishtinës, respektivisht këshilltarja e kryetarit të Prishtinës Jonada Jashari në cilësinë e hulumtueses dhe regjisores, ka realizuar video-intervistat me gratë veterane duke sjellë dëshmi të bazuara në kujtimet e tyre.

Këto intervista janë te ekspozuara në Reporting House dhe të qasshme për të gjithë ata të cilët janë të interesuar t’i dëgjojnë dhe kuptojnë më tepër për rolin e grave në luftën për liri të UÇK-së, përmes rrëfimeve autentike të Zymrie Vitia, Ramize Abdullahu Salihu,Ibadete Canolli, Hyrie Veliu, dhe Emine Brahimi.

Projekti synon të hapë një diskutim më të gjerë mbi përvojat e grave në luftë dhe kontributin e tyre të rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës.