Sean Whelan

Sean Whelan është gazetar irlandez dhe një prej figurave të njohura të RTÉ News, me një karrierë disa-dekadëshe në gazetari ndërkombëtare, politike dhe ekonomike. Ai iu bashkua RTÉ-së në vitin 1991 dhe gjatë viteve të para të karrierës punoi në disa pozita, përfshirë gazetarinë radiofonike dhe televizive. Më vonë u angazhua në redaksinë e jashtme të RTÉ-së dhe shërbeu si zëvendësredaktor për çështjet ndërkombëtare.

Whelan ka raportuar nga disa prej konflikteve dhe ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare të kohës. Ai raportoi nga lufta në Bosnje dhe më pas nga lufta në Kosovë. Gjatë karrierës së tij ka mbuluar gjithashtu zhvillime të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi.

Pas punës në redaksinë e jashtme, Whelan shërbeu si redaktor për Evropën në Bruksel dhe më pas si korrespondent ekonomik i RTÉ-së. Në vitin 2026 u emërua përsëri korrespondent i RTÉ-së në Londër. Kontributi i tij në dokumentimin e Kosovës është pjesë e një karriere të gjatë në gazetarinë ndërkombëtare, ku raportimi nga terreni ka qenë një komponent qendror.

Fred Scott

Fred Scott është regjisor dhe producent britanik, i njohur për punën e tij në dokumentarë dhe portrete filmike. Ai është regjisor i vlerësuar me BAFTA, ndërsa puna e tij është nominuar edhe për çmime të tjera të rëndësishme të industrisë së filmit. Scott është i specializuar në dokumentarë që vendosin historitë njerëzore dhe personazhet në qendër të rrëfimit.

Një prej projekteve të tij më të njohura është dokumentari Being A Human Person, i cili u nominua për Best Documentary në British Independent Film Awards dhe u përfshi në listën e filmave të konsideruar për BAFTA. Më vonë ai realizoi edhe dokumentarin London Bridge: Facing Terror, të porositur nga Channel 4, i cili fitoi BAFTA dhe u nominua për Best Documentary në Broadcast Awards.

Kontributi i Scott në materialet që lidhen me Kosovën duhet parë në kontekstin e traditës së tij dokumentare: përdorimit të filmit për të ruajtur dëshmi, histori personale dhe përvoja njerëzore që lidhen me ngjarje të mëdha shoqërore e politike.

Ridvan Slivova

Ridvan Slivova është një nga fotoreporterët më të rëndësishëm të Kosovës dhe një prej dëshmitarëve vizualë të historisë moderne të vendit. Ai e nisi karrierën profesionale si fotograf në gazetën Rilindja, në një periudhë kur fotografia dhe gazetaria po bëheshin gjithnjë e më të rëndësishme për dokumentimin e zhvillimeve politike dhe shoqërore në Kosovë. Përmes objektivit të tij, Slivova dokumentoi momente të rezistencës, represionit dhe luftës, duke krijuar një arkiv fotografik me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe njerëzore.

Gjatë viteve 1990–1999, puna e tij si fotoreporter e ekspozoi vazhdimisht ndaj rrezikut. Ai u arrestua rreth 20 herë nga forcat serbe për shkak të punës së tij dhe të fotografive që realizonte në terren. Fotografitë e Slivovës janë të rëndësishme jo vetëm si dëshmi të ngjarjeve, por edhe sepse pasqyrojnë jetën e njerëzve të zakonshëm në një periudhë të jashtëzakonshme të historisë së Kosovës. Kontributi i tij përfaqëson një formë të gazetarisë që, përmes imazhit, ruan dëshmitë e një kohe që rrezikonte të mbetej e padokumentuar.

Marija Ristic

Marija Ristic është një gazetare hulumtuese me përvojë dhjetëvjeçare në raportimin e krimeve të luftës, hulumtimet me burime të hapura dhe teknologjitë e reja.

Aktualisht, ajo është menaxhere në ‘Amnesty International Crisis Evidence Lab’, ku drejton ‘Digital Verification Corps’ – një rrjet që mbështet ekipet e ‘Amnesty International’ në dokumentimin dhe gjetjen e fakteve për të drejtat e njeriut. ‘Evidence Lab’ bashkon hetues, inxhinierë, zhvillues dhe të tjerë për të pilotuar mjete të reja, si inteligjenca artificiale, detektimi nga distanca, identifikimi i armëve dhe analiza e të dhënave të mëdha.

Para se t’i bashkohej ‘Amnesty’, Marija ishte drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, një organizatë mediatike jo-fitimprurëse në Evropën Juglindore dhe Qendrore.

Për punën e saj si gazetare, ajo ka fituar shumë çmime, duke përfshirë çmimin vjetor të Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij. Marija Ristic ka prodhuar shumë dokumentarë dhe raporte mbi krimet e supozuara të luftës në Kosovë, përfshirë dokumentarin “Të Paidentifikuarit” dhe ka krijuar bazat e të dhënave për varret masive nga luftërat në ish-Jugosllavi. Ajo diplomoi nga Akademia e Gjenevës për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare dhe mbajti pozicione bursisti në Universitetin “Columbia” në Nju Jork dhe Universitetin “Free” të Berlinit.

Denis Džidić

Denis Džidić është drejtor ekzekutiv dhe redaktor për BIRN Bosnjë dhe Hercegovinë (në portalin ‘Detektor’) që nga viti 2019. Karrierën e tij gazetareske e ka filluar në gazetën ditore Oslobođenje në vitin 2006.

Në BIRN Bosnjë dhe Hercegovinë hyri në vitin 2008. Shumicën e karrierës së tij ia ka përkushtuar çështjes së drejtësisë kalimtare dhe raportimit të krimeve të luftës në luftën e Bosnjës në vitet 1992-1995. Ka raportuar edhe nga Haga. Džidić ka punuar në “Institutin për Raportim të Luftës dhe Paqes ” në Sarajevë dhe në Hagë. Është fitues i disa çmimeve, ndër të tjera nga Shoqata “Biti Novinar” për kronika të vazhdueshme dhe kontribut të çmuar në zbulimin e së vërtetës rreth gjenocidit në Srebrenicë.

Nën udhëheqjen e tij, në vitin 2020, Detektori (program i BIRN Bosnje e hercegovinë) fitoi Çmimin Evropian për Shtyp për raportimet lidhur me gjykimet e krimeve të luftës, çështjeve të drejtësisë kalimtare dhe problemeve me të cilat janë përballur viktimat e luftës së viteve 90-ta. Aktualisht është anëtar i Komitetit Përgatitor të Çmimit Evropian për Shtyp. Është i diplomuar në Departamentin e Gazetarisë së Fakultetit të Shkencave Politike në Sarajevë dhe ka titull Magjistrature në drejtësi ndërkombëtare.

Emir Suljagić

Dr. Emir Suljagić është gazetar, autor, profesor dhe drejtor i Qendrës Memoriale Srebrenica-Potoçari që nga viti 2019.

Suljagić ka doktoraturë në Shkenca Politike nga Universiteti i Hamburgut. Ka shërbyer si Ministër i Arsimit në kantonin e Sarajevës nga 13 janar 2011
deri më 29 shkurt 2012 si dhe ka qenë zëvendësministër i Mbrojtjes nga 31 mars 2015 deri më 10 dhjetor 2015.

Ka punuar si përkthyes i gjuhës angleze për organizatën e Kombeve të Bashkuara në Srebrenicë dhe ka filluar karrierën e tij si gazetar duke punuar
për revistën javore, fituese të çmimeve të ndryshme, Dani. Suljagić ka punuar si korrespondent i Institutit për Raportim të Luftës dhe Paqes, duke raportuar
nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavinë (ICTY). Mes tjerash, ka botuar për revistat New York Times, Boston Globe, AlJazeera, El Pais, Die Zeit dhe Oslobođenje. Suljagić ka ligjeruar lëndën Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës. Publikimi përkujtimor i tij “Kartolina nga Varri” (2003) paraqet rrëfimin e parë të një të mbijetuari të Srebrenicës të botuar në anglisht dhe më pas të botuar në tetë gjuhë të tjera.

Max Stahl

Ky prodhues britanik i dokumentarëvei pavarur dhe i guximshëm nisi karrierën e tij si Christopher Wenner, një aktor dhe regjisor teatri dhe pastaj bashkë-prezantues i programit kryesor për fëmijë të BBC-së, ‘Blue Peter’, në fund të viteve 1970. Në vitet 1980 ai filloi të udhëtonte në zona konflikti, Amerikë Qendrore, Liban dhe të tjera, për të bërë dokumentarë.

Nga vitet 1990 ai adoptoi pseudonimin Max Stahl si një masë që ia mundësoi të vazhdojë të futet në vende të rrezikshme, veçanërisht në Timor-Leste (Timori Lindor), ku ai bëri emër duke filmuar një masakër nga trupat indoneziane në vitin 1991. Ajo dhe kontributi i tij i mëvonshëm në dokumentarin ‘Vdekja e një Kombi’ ishin kontribute të mëdha për kauzën e Timorit Lindor. Puna e tij në vitet 1990 e çoi gjithashtu në Rusi, Çeçeni dhe Ballkan.

Ai jetoi vitet e tij të fundit në Timor-Leste të pavarur, duke themeluar Qendrën Audiovizuale ‘Max Stahl’ për Timor-Leste, duke grumbulluar një arkiv prej mbi 5000 orë xhirimesh gjatë dekadave të luftës për pavarësi. Ai vdiq nga kanceri i fytit në vitin 2021.

Max (Chris) erdhi në Kosovë në vjeshtën e vitit 1997, për të bërë raporte dokumentare për ‘UK Channel 4 News’ dhe si vëzhgues i pavarur i zgjedhjeve serbe në atëherë provincën. Raportimi i tij i parë kishte të bëjë për ato zgjedhje. Alex Anderson, vëzhguesi afatgjatë i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE-së me seli në Prishtinë në atë kohë, kujton: “Chris kishte një stil si të Indiana Jones, madje e kishte edhe kapelën”.

Max vazhdoi vizitat e tij në Kosovë deri në pranverën e vitit 1998, duke bërë raporte që dokumentuan këtë periudhë kur konflikti po ziente e po fillonte të shpërthente, para se të tërhiqte vëmendjen e mediave botërore. Më 9 mars 1998 ai po filmonte një demonstratë masive në Prishtinë, për ta protestuar dhunën ushtarake serbe në Drenicë, kur tre burra serbë të armatosur dhe me xhaketa lëkure e kapën, e tërhoqën përmes një dere, e grabitën dhe e rrahën.

Përshkrimi i tij se çka ndodhi mund të shihet këtu:

Paul Lowe

Paul Lou është fotograf i vlerësuar me çmime, puna e të cilit është paraqitur në botime të njohura si Time, Newsweek, Life, The Sunday Times Magazine, The Observer, The Independent dhe The Telegraph. Ai ka mbuluar ngjarje të rëndësishme globale, si rënia e Murit të Berlinit, lirimi i Nelson Mandelës, uria në Afrikë, konflikti jugosllav dhe shkatërrimi i qytetit të Groznit. Duhet theksuar që fotot e tij nga prilli 1999, të bëra në kampet e refugjatëve në Maqedoni dhe Shqipëri, u botuan në revistën Telegraph, The New York Times dhe një revistë franceze.

Paul është po ashtu Shef Katedre për programin Master në Fotogazetari dhe Fotografi Dokumentare në Kolegjin e Komunikimit në Londër, Universiteti i Arteve në Londër. Ai luajti rol kyç në avancimin e programit drejt titullit të plotë Master në vitin 2004. Përveç kësaj, ai ka shkruar disa libra, duke përfshirë “Boshnjakët”, i cili dokumenton luftën dhe situatën e pasluftës në Bosnje, dhe ka qenë bashkautor i librit “Të Kuptojmë Fotogazetarinë”. Hulumtimi i tij fokusohet kryesisht në fotografimin e konflikteve, duke kontribuar në libra si “Përshkrimi i mizorive: Fotografia në krizë” dhe “Fotografia dhe konflikti”.

Sei Motoda

Jam i lindur në Himeji, Japoni, në vitin 1953. Në vitin 1978 fillova të punoj si reporter i lajmeve për Nippon Television (NTV) në Tokio. Fillimisht mbuloja lajmet vendore si politika. Pastaj në vitin 1989 historia botërore ndryshoi: Muri i Berlinit ra dhe Bush dhe Gorbaçov u takuan në Maltë për ta shpallur fundin e Luftës së Ftohtë. Unë shkova në Maltë si anëtar i ekipit të lajmeve dhe u emocionova nga ndryshimi dramatik i historisë.
I kërkova shefit tim të më dërgonte në Evropë dhe në vitin 1994 më caktuan si shef të zyrës në Londër. Në atë kohë gadishulli Ballkanik ishte në trazira. Vizitova Bosnjën, Shqipërinë dhe Kosovën për t’i mbuluar konfliktet. U befasova të shoh se luftërat e nxehta shpërthenin edhe në Evropën e shekullit 20. E bëra raportin për Kosovën në verën e vitit 1998 dhe shumë pak japonezë dinin diçka për Kosovën atëherë.
Raporti për Kosovën ishte raporti im i fundit nga Evropa pasi më kthyen përsëri në Tokio në gusht. U bëra redaktor i lajmeve të huaja në vitin 2001. Në vitin 2014 u largova nga NTV dhe ligjërova gazetarinë në Universitetin Hakuoh në Tochigi, Japoni, deri në mars 2024.

Andrew Testa

Në një karrierë të shtrirë për më shumë se tridhjetë vjet, Endru Testa ka punuar gjerësisht në MB, Ballkan dhe Lindjen e Mesme, duke fotografuar çështje rreth konfliktit, të drejtave të njeriut dhe mjedisit. Andrew ka lindur në Londër, Angli në 1965. Ai e filloi karrierën e tij fotografike në fillim të viteve 1990, duke punuar si i pavarur për gazetat Guardian dhe Observer. Gjatë gjithë dekadës, ai dokumentoi lëvizjet në rritje të Protestave Mjedisore dhe të Drejtave të Kafshëve në MB. Në vitin 1999, ai riorientoi vëmendjen e tij drejt Ballkanit, duke mbuluar luftën në Kosovë. Në fund të vitit 1999, u transferua në Kosovë, të cilën e përdori si bazë për të mbuluar ngjarjet në Evropën Lindore, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme. Në vitin 2005 u transferua në Nju Jork, ku qëndroi për pesë vjet. Ai tani jeton në Londër, me gruan dhe dy fëmijët e tij. Vitet e fundit, ai e ka përqendruar vëmendjen e tij në trazirat politike të shkaktuara nga Brexit-i dhe pasojat afatgjata të tij për Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën.

Ai është bashkëpunëtor i rregullt i New York Times, ndërsa puna e tij është botuar gjerësisht në revista si Newsweek, Time, Stern, Geo, Paris Match, Der Spiegel, The Sunday Times Magazine, The Independent Magazine, Mother Jones, Mare dhe Granta.