Më 29 korrik 2025, në ambientet e Reporting House, u zhvillua një ngjarje e veçantë përkujtimore dhe dokumentuese, që solli në qendër të vëmendjes rrëfimet e grave dhe burrave aktivistë të cilët, nga burgjet e viteve ’80, nisën një prej iniciativave më të rëndësishme shoqërore në historinë e Kosovës: lëvizjen për pajtimin e gjaqeve.
Havë Shala, Myrvete Dreshaj, Shqipe Bytyqi, Ramë Tali, Ilir Bytyçi dhe aktivisti Ibrahim Dreshaj ndanë me publikun përvojat e tyre personale – histori të pathëna më parë, që nuk gjenden në tekstet shkollore apo në librat e historisë, por që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kujtesës sonë kolektive.
Ngjarja u shoqërua me pamje origjinale arkivore, të xhiruara nga kameramani Murteza Kurti – dëshmitar i drejtpërdrejtë i asaj periudhe dhe bashkëpunëtor i çmuar i Reporting House. Këto materiale vizuale i dhanë një dimension të gjallë dhe emocional rrëfimeve të të ftuarve.
Rreth 150 pjesëmarrës ishin të pranishëm për të ndjekur këtë aktivitet, për të nderuar kontributin e këtyre aktivistëve dhe për të dëgjuar nga afër zërat e guximit, rezistencës dhe transformimit shoqëror.
Faleminderit të gjithëve që morën pjesë dhe kontribuuan në ruajtjen e kësaj pjese të rëndësishme të historisë sonë.