“Një mur na ndan” – Xheva

Këto letra rebele të dashurisë janë shkëmbyer mes dy guerilëve, Xhevë Krasniqi Lladrovcit dhe Fehmi Lladrovcit.

Ato u shkruan mes viteve 1985-1990, kur Fehmiu ishte i burgosur politik në Stara Gradishkë, burg famëkeq i ish-Jugosllavisë, në kohën kur ata dy ishin pak më shumë se një muaj që ishin fejuar dhe ai u dënua me 10 vjet burgim për pjesëmarrje në lëvizjet ilegale për të drejtat e shqiptarëve. Ata ishin 30 vjeçarë.

Fehmiu i propozoi Xhevës që të mbeteshin shokë, në mënyrë që ajo të mos e priste aq gjatë për t’u martuar me të, por ajo i dha besën që do ta priste. Xheva, e cila kishte përfunduar studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe, po vazhdonte studimet e juridikut.

Këto kostume në mur janë pikërisht ato që Xheva i veshi kur shkoi nuse. Nuk u vesh në të bardha, por në të kuqe, për të simbolizuar rezistencën. Rezistencën Xheva ia kishte caktuar vetes si detyrë, deri në ditën kur u vra duke luftuar me forcat serbe, më 22 shtator 1998, bashkë me Fehmiun. E ekspozuar në mur është gjoksorja që ajo e pati veshur kur u vra, dhe ia mbante municionin dhe granatat.

Gjatë viteve të burgut nisi një korrespondencë e veçantë e një dashurie të pakonsumuar plotësisht në liri. Letrat e Xhevës ishin aq spirituoze, lirike, motivuese dhe romantike, saqë shumë të burgosur të tjerë politikë shqiptarë i lexonin dhe ia recitonin njëri-tjetrit, duke gjetur në to frymëzim. Ata rrëfejnë se si letrat e Xhevës i dispononin dhe i forconin moralisht, duke ua ushqyer imagjinatën dhe shpresën për të përfytyruar një jetë të bukur në Kosovën e lirë, pas daljes nga burgu.

Fehmiu e Xheva e dinin që kur shkruanin, nuk shkruanin vetëm për njëri-tjetrin, por për një komunitet miqsh dhe familjarësh. Dhe tash, për herë të parë, kjo korrespondencë bëhet publike edhe për gjenerata të reja në ‘Reporting House’.

Gjatë kohës që po e priste Fehmiun, ajo ia mësoi shkrim-leximin nënës së tij, në mënyrë që edhe ajo të mund t’i shkruante të birit në burg. Njëkohësisht, Xheva u angazhua për të drejtat e vajzave, të cilave u mohohej mundësia për të vazhduar shkollimin e mesëm asokohe në Drenas.

Kur Fehmiu doli nga burgu, Xheva dhe ai shërbyen si pjesëtarë të Gardës Shqiptare në Kroaci, e cila luftonte për çlirim në vitin 1992. Sipas shoqeve të Xhevës, gjatë viteve që çifti jetoi në Gjermani (1993–1997), ajo përgatitej fizikisht me ecje duke mbajtur pesha, si dhe me çiklizëm, për luftën e pashmangshme. Në vitin 1997 lufta erdhi dhe ajo hyri në Kosovë përmes Shqipërisë dhe iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Letrat e Xhevës janë ruajtur me shumë kujdes nga familjarët, sidomos nga Selim Krasniqi, vëllai i Xhevës, bashkëluftëtar i UÇK-së. Këto letra që i shihni janë kopje, pasi që ekspozimi i letrave origjinale në muze mund t’i dëmtonte.

Në egërsinë e ftohtë e të lagësht të burgut, me të burgosur të ngjeshur njëzet e pesë veta në një dhomë, humori i veçantë, intelekti dhe guximi i Xhevës frymëzuan të tjerët. Mes tyre ishte Adem Demaçi, i ashtuquajturi Mandella i Kosovës, i cili kaloi 15 vjet në këtë burg.

“E jotja gjer në varr”, shkruante Xheva para 40 vitesh. Dhe ashtu ndodhi. Një dekadë pasi shkroi këto fjalë, ndërsa e luftonte Serbinë në Drenicë në 1998, Fehmiu u plagos. Xhevës i tha të tërhiqej. Xheva refuzoi. Pasi ai dha shpirt, ajo qëndroi pranë tij duke luftuar deri në fundin e idhët dhe heroik!

Një vizitë në Reporting House, Kosovë

Shkruar nga Christian Jennings

Botuar fillimisht në Chasing the Donkey, një blog udhëtimesh që mbulon Ballkanin.

Kur mbërrita për herë të parë në Kosovë, gati njëzet e shtatë vjet më parë, në qershor të vitit 1999, isha gazetar britanik që raportoja gjatë luftës. Avionët luftarakë të NATO-s përshkonin qiellin në të gjitha drejtimet, dhjetëra mijëra refugjatë shqiptarë të Kosovës po ktheheshin nga Maqedonia dhe Shqipëria, ndërsa qytetet dhe rrugët ishin të mbushura me trupa paqeruajtëse nga tridhjetë shtete.

As që mund ta imagjinoja se, pas gjithë këtyre viteve, do të kthehesha për të zbuluar një muze të ri të jashtëzakonshëm, që rrëfen historinë dramatike dhe magjepsëse të atyre ditëve.

Sot, në rrugën Nënë Tereza, në qendër të Prishtinës, fare pranë statujës së madhe të luftëtarit shqiptar Skënderbeut mbi kalë, gjendet Reporting House. Është një ndërtesë madhështore dhe moderne, e vendosur, çuditërisht, brenda një ish-shtëpie të mallrave të periudhës jugosllave. Në dy vitet e para që nga hapja, muzeu ka tërhequr tashmë 30,000 vizitorë. Hapësira e brendshme e ndërtesës së vjetër madhështore është zhveshur nga elementet e saj dekorative, duke nxjerrë në pah strukturën bazë, me një karakter pothuajse industrial, që i përshtatet më së miri përmbajtjes së re.

Jashtë ndodhet një instalacion mbresëlënës, i realizuar nga trarë druri të dëmtuar, të marrë nga shtëpitë e djegura gjatë luftës, ndërsa brenda ekspozohen artefakte të shumta interesante, që u ofrojnë vizitorëve një pasqyrë pamore të fuqishme të asaj që ndodhi në Kosovë.

Një nga eksponatet e para që sheh vizitori është një telefon i vjetër celular Sony, i cili ka ndalur një plumb pushke me shpejtësi të lartë. Pajisja e dëmtuar ndodhej në çantën e brezit të një kameramani të televizionit BBC, ndaj të cilit ishte qëlluar teksa filmonte forcat serbe në vitin 1998. Telefoni, me shumë gjasë, ia shpëtoi jetën. Pamjet e tij televizive ishin vetëm një pjesë e mbulimit mediatik ndërkombëtar të ngjarjeve të viteve 1998 dhe 1999, që ndikoi në formësimin e opinionit botëror, duke çuar te sulmet ajrore të NATO-s dhe një ndërhyrje e gjerë humanitare dhe ushtarake.

Reporting House rrëfen historinë e jashtëzakonshme të kësaj periudhe vendimtare përmes rreth 500 fotografive, 150 reportazheve televizive, si dhe veprave e instalacioneve të artistëve nga Kosova, Ballkani dhe vende të largëta si Mozambiku. Në muze paraqiten edhe dëshmi personale thellësisht prekëse.

Ndër to janë letrat e dashurisë së dy luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, një çift që u strehuan së bashku në male, luftuan së bashku dhe, në fund, ranë së bashku gjatë një përleshjeje me forcat serbe në shtator të vitit 1998. Në anën tjetër të spektrit pamor, muzeu ekspozon një automjet origjinal të blinduar Land Rover Defender, të llojit që përdorej nga gazetarët në Kosovë, me gërvishtje dhe dëmtime që dëshmojnë për kushtet e luftës.

Ky është një muze që nuk i ngjan asnjë tjetri. Vizitorëve u ofrohet një këndvështrim i ri dhe ndryshe mbi luftën, zhvendosjen masive të njerëzve dhe rrjedhën e historisë. Muzeu ofron një vështrim tërheqës mbi atë që ndodh kur pena, nganjëherë, është po aq e fuqishme sa shpata.

Vizitorët mund ta eksplorojnë muzeun në mënyrë të pavarur ose të marrin pjesë në një vizitë me udhërrëfyes, të gjitha pa pagesë. Ndërkohë, në anën tjetër të qytetit, në Stacionin e Trenit të Prishtinës, Reporting House ka hapur së fundmi muzeun e tij të dytë, të quajtur Eksodi ’99. Muzeu është vendosur brenda një vagoni të vjetër hekurudhor, i cili ishte përdorur për transportimin e refugjatëve gjatë luftës. Një galeri pranë vagonit paraqet artefakte që lidhen me këto përvoja.

Planifikoni vizitën tuaj

Reporting House
E martë – E diel
10:00–18:00

Eksodi ’99
E martë – E diel
12:00–18:00

E hënë: Mbyllur

Telefoni: +383 48 831 998
Instagram: @reportinghouse
Facebook: Reporting House

Në Prishtinë u hap Muzeu “Eksodi ‘99”

Në Stacionin e Trenave në Prishtinë është hapur muzeu “Eksodi ’99”, një projekt i prodhuar nga Reporting House që dokumenton përvojën e qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës të dëbuar me forcë gjatë luftës së vitit 1999.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë zyrtarë shtetërorë, diplomatë, studiues, aktivistë të shoqërisë civile, artistë dhe qytetarë të shumtë.

I vendosur në hapësirën prej nga nisën trenat që transportuan refugjatët drejt Maqedonisë së Veriut gjatë pranverës së vitit 1999, muzeu sjell në qendër të vëmendjes një nga kapitujt më dramatikë të historisë së fundit të Kosovës. Mes marsit dhe qershorit 1999, qindra mijëra shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre përgjatë linjës hekurudhore Prishtinë–Han i Elezit, në një nga zhvendosjet më të mëdha me dhunë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ekspozita përfshin 48 rrëfime personale të njerëzve që e përjetuan eksodin, të mbledhura dhe të treguara 27 vjet pas luftës. Historitë janë organizuar në katër tema kryesore: dëbimi, jeta në kampet e refugjatëve, qëndrimi te familjet mikpritëse dhe kthimi në Kosovë. Përveç rrëfimeve të refugjatëve, muzeu prezanton edhe dëshmi të atyre që mbetën në Kosovë, u fshehën gjatë luftës ose iu bashkuan rezistencës së armatosur.

“Eksodi ’99” synon të ruajë kujtesën e përvojës së refugjatëve dhe të krijojë një hapësirë reflektimi për brezat që nuk e kanë përjetuar luftën. Përmes dëshmive personale, muzeu e zhvendos fokusin nga statistikat te përvojat individuale të njerëzve që humbën shtëpitë, u ndanë nga familjarët dhe u detyruan të kërkonin strehim jashtë Kosovës.

Muzeu është prodhuar nga Jeta Xharra dhe kuruar nga Gazmend Ejupi. Ai është themeluar nga Reporting House, BIRN Kosova dhe Prishtina Biennale.

“Eksodi ’99” gjendet në Stacionin e Trenave në Prishtinë dhe është i hapur për vizitorë nga e marta deri të dielën, nga ora 12:00 deri në 18:00.

‘Reporting House’ bëhet anëtare e rrjetit evropian të muzeve – NEMO

“Reporting House” (Shtëpia e gazetarëve) është pranuar si anëtare në Rrjetin e Organizatave Europiane të Muzeve (NEMO).

Përmes një njoftimi publik të vetë rrjetit, shkruhet se “Reporting House” shënon 25 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe u ofron vizitorëve kosovarë dhe ndërkombëtarë një vështrim të thelluar mbi atë që konsiderohet si lufta e fundit evropiane e shekullit të 20-të.

NEMO shkruan se, ekspozita prezantohet nga BIRN Kosova dhe Prishtina Biennale dhe bashkon gazetarinë, fotografinë dhe artefakte mediatike nga vitet ’90, së bashku me vepra arti bashkëkohore që reflektojnë mbi ndikimin afatgjatë të luftës.

Tutje, tregohet se vizitorët, sipas njoftimit, udhëhiqen përmes historisë së re të Kosovës—nga rezistenca paqësore dhe formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, te lufta e viteve 1998–99, bombardimet e NATO-s dhe deri te pavarësia.

“I themeluar nga gazetarja Jeta Xharra dhe i kuruar nga artisti Gazmend Ejupi, Reporting House thekson rolin thelbësor të medias në formësimin e kujtesës historike dhe fton bashkëpunim të vazhdueshëm ndërsa ekspozita vazhdon të zhvillohet”- thuhet në shkrimin e publikuar, të shtunën më 25.04.2026.

“Motivimi ynë për t’u bashkuar me NEMO është të ndajmë modelin tonë unik të kombinimit të gazetarisë me artin bashkëkohor me institucione të tjera evropiane. Ne u bëmë një vend i ndihmuar nga shumë shtete evropiane që gjithashtu kanë përjetuar luftë, dhe duam të mësojmë nga muzetë evropiane se si të rrëfejmë historinë tonë për brezat e ardhshëm. Ne jemi vendi më i ri në Evropë, dhe ndoshta muzeu më i ri që bëhet pjesë e rrjetit, prandaj kemi shumë për të mësuar nga shkëmbimi i njohurive në rrjetin NEMO”- citohet  të ketë deklaruar Xharra.

Rrjeti evropian i muzeve NEMO  (Network of European Museum Organisations), është një organizatë ndërkombëtare që bashkon institucionet dhe organizatat muzeale në gjithë Evropën.

Njëzet e pesë vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, ekspozita REPORTING HOUSE (Shtëpia e gazetarëve) ofron një pasqyrim të hollësishëm të luftës evropiane që përmbylli shekullin e 20-të.

Kjo ekspozitë është hapur më 10 qershor 2024, për nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Ekspozita e REPORTING HOUSE u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s. Kjo çoi deri në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008.

E vendosur në katin e parë të ish-objektit “Gërmia”, shtëpisë së parë të mallrave në Kosovë, e ndërtuar në vitin 1973, “Reporting House” u shndërrua në një hapësirë jo vetëm dokumentimi, por edhe diskutimi e hulumtimi për gazetarë, hulumtues, e studentë vendorë dhe ndërkombëtarë.Personalitete të ndryshme publike shqiptare dhe ndërkombëtare, vizituan “Reporting House”.

Disa prej tyre, më tepër se njëherë duke sjellë me vete familjarë, miq e të gjithë të interesuar për historinë moderne të Kosovës.

Reporting House, i cili fillimisht ishte menduar të zgjasë vetëm tre muaj, është shndërruar në një nga platformat më të rëndësishme në Kosovë për trajtimin e kujtesës kolektive, gazetarisë dhe artit bashkëkohor. Kështu vlerëson artisti dhe kuratori Gazmend Ejupi, i cili ka qenë i angazhuar në zhvillimin e kësaj ekspozite.

Sipas tij, ndikimi i projektit ka tejkaluar pritjet fillestare, duke marrë një peshë të madhe  publike.

Ai thotë se rëndësia e këtij projekti pritet të thellohet edhe më tej gjatë këtij viti, pasi Reporting House do të lidhet me projektin “BLLACA 99 – Eksodi”, e që kjo ndërthurje synon të hapë hapësira të reja reflektimi.

Ejupi vë në pah se një nga shtyllat kryesore të projektit mbetet lidhja mes materialeve gazetareske, arkivave dokumentare dhe artit bashkëkohor.

Sipas tij, pikërisht kjo ndërthurje e bën Reporting House një platformë unike, ku gazetaria nuk mbetet vetëm si dokumentim historik, por transformohet në një përvojë vizuale, emocionale dhe kritike për publikun.

“Fakti që tashmë jemi pjesë e një konteksti më të gjerë muzeal evropian dëshmon se Reporting House ka arritur të krijojë një model të veçantë të prezantimit të historisë, kujtesës dhe dëshmisë përmes ndërthurjes së gazetarisë, arkivit dhe artit bashkëkohor”- ka deklaruar Ejupi për KALLXO.com.

 

Dua Lipa vizitoi Reporting House

Dua Lipa, këngëtarja me famë botërore që mbajti koncertin mbi dy orësh në festivalin ‘Sunny Hill’, ka vizituar ‘Reporting House’ para se të shënonte ora 12 e mbrëmjes, të hënën, më 04.08.2025.

Duan e shoqëruan në këtë vizitë Dukagjin Lipa, babai i saj dhe themeluesi i festivalit, Callum Turner, aktor i famshëm dhe i fejuari i Dua Lipës, Gjin Lipa – vëllai dhe të tjerë.

Ajo u prit nga producentja e muzeut, Jeta Xharra, kuratori i muzeut Gazmend Ejupi, gazetarja Donika Shahini dhe nga stafi e vullnetarët e ‘Reporting House’.

Dua Lipa tha “keni një bërë një punë të mrekullueshme për të treguar historinë e Kosovës në këtë muze”.

Dukagjin Lipa falenderoi që muzeu u hap përtej orarit të tij dhe tha që kjo vizitë është realizuar për shkak të respektit për punën e bërë me këtë muze.

Callum Turner u interesua për xhirimet e trupave speciale britaneve, ‘paratroopers’, të cilët kishin ardhur në Kosovë ditëve të para të hyrjes së NATO-së dhe shiheshin në xhirime duke bërë skenimin e terenit për mina në Prishtinë, derisa Dua i tregonte për lagjet e njohura të Prishtinës që i shihte në xhirimet e vitit 1999 të bëra nga BBC.

Donika Shahini, gazetarja që e kishte ruajtur fletoren e fëmijëve të Jasharëve tha “ishte fantastike me çfarë interesimi, kurioziteti dhe modestie Dua ndëgjoi rrëfimin tim për fletoren e shpëtuar nga shtëpia e Jasharëve që e kam ruajtur për këtë muze.

“Kjo më bëri shumë të lumtur, që një njeri si ajo që ishte e angazhuar aq shumë me festivalin dhe koncertin e saj të cilin e kam pa dhe më ka bërë të lumtur, gjeti kohë të vizitojë muze dhe të interesohet për punën tonë” – tha Shahini.

Jeta Xharra, bashkëthemeluesja e muzeut “Reporting House” tha që “kemi pasur një fluks të njerëzve që e kanë vizituar muzeun tonë për shkak se kanë ardh në Kosovë për Sunny Hill, pra kemi pasur mundësi të ju flasim për historinë e Kosovës njerëzve që normalisht nuk do vinin në Kosovë”.

“Pra, kjo tregon që, përtej profesionalizimit të lartë që është treguar këto ditë nga stafi i kompanisë “Republika” që e kanë organizuar festivalin “Sunny Hill” – të cilin e kam vizitu çdo natë – është e hatashme sa e dobishme është treguar familja Lipa për gjithë ne që jetojmë e punojmë në Kosovë. Thjesht ata na kanë bërë nder duke e promovuar një Kosovë moderne, një rini kosovare që ndihet rehat në lëkurën e vet dhe rehat me histori të vet – e për mua befasi e kandshme ishte sidomos që pas gjithë asaj lodhje me festival, kjo familje gjeti kohë të interesohet për histori të Kosovës disa orë para se Dua duhej të udhëtoj e ta zë aeroplanin për udhëtimin e mëtutjeshëm të saj. Kjo tregon një fokusim të hatashëm të kësaj familjeje për të bërë mirë jo vetëm për veti, por për Kosovë” – shtoi Xharra.

Gjatë vizitës së saj, Lipa me familjarët vizituan edhe Galerinë e ‘Reporting House’ ku po ekspozohet puna e artistit 18-vjeçar nga Gaza, Hussein al-Jerjaëi e që titullohet “Fragmente të mbijetesës”.

Greta Thunberg vizitoi Reporting House

Aktivistja për të drejtat e njeriut dhe ambientalistja suedeze, Greta Thunberg, më 28.07.2025 e vizitoi ‘Reporting House’ në kuadër të vizitës së saj dyditore në Kosovë.

Thunberg u takua me aktivistë nga organizata rinore në Kosovë, si dhe kaloi 2 orë në muze për të kuptuar më tepër rreth historisë së aktivizmit dhe protestave qytetare të viteve të ’90-ta në Kosovë.

Ajo u prit nga producentja e muzeut, Jeta Xharra dhe kuratori i muzeut Gazmend Ejupi që së bashku me artistin e ri Vullnet Jakupi, folën për veprat e artit modern që ekspozohen në ‘Reporting House’ dhe që reflektojnë për aktivizmin, si punimi për shkollat shtëpia nga Jakupi, etj.

Tutje Thunberg vizitoi edhe Galerinë e ‘Reporting House’ ku po ekspozohet puna e artistit 18-vjeçar nga Gaza, Hussein al-Jerjawi e që titullohet “Fragmente të mbijetesës”.

Thunberg u interesua për reagimet e politikës dhe shoqërisë kosovare për situatën në Gaza.

E shoqëruar nga aktivistë të rinj nga Kosova, Thunberg shprehu mirënjohje për zemërgjerësinë e njerëzve që ka takuar në Kosovë.

Producentja e ekspozitës, Jeta Xharra tha se po e përcjellë aktivizmin e Gretës që një kohë të gjatë.

Ajo ka arritur të bëhet zëri i së ardhmes dhe në mënyrë shumë efektive ka tërhequr vëmendjen e botës për krizën ambientale”- tha ajo.

Xharra theksoi po ashtu aktivizmin e Thunberg për padrejtësitë që po ndodhin në Gaza, duke e quajtur privilegj mundësinë për të rrëfyer historinë e padrejtësive në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta.

“Reporting House” është hapur më 10.06.2024 në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë dhe pasqyron punën e madhe që kanë bërë gazetarët vendorë e ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë.

100 vjet të “Trepçës” – Sot hapet instalacioni me mineralet e Stantërgut në “Reporting House”

Sot, të mërkurën, më 18.06.2025, në “Reporting House” do të hapet një instalacion i veçantë, i realizuar me 500 kristale origjinale të bartura nga Miniera e Trepçës, për të shënuar 1-vjetorin e hapjes së “Reporting House”.

Instalacioni i titulluar “100” shënon edhe 100-vjetorin e mineraleve të Trepçës.

“Reporting House” ka njoftuar se mineralet që do të prezantohen përmes instalacionit “100”, i kuruar nga Gazmend Ejupi, janë nga Miniera e Stantërgut – miniera më e vjetër e Kompleksit gjigand të “Trepçës” – pak kilometra nga qyteti i Mitrovicës dhe 45 kilometra në veri të Prishtinës.

Këto minerale janë nxjerrë nga 750 metra thellësi nëntokësore, nga minatorë të cilët ende punojnë në kushte të vështira, në temperatura deri në 50 gradë celsius, në lagështi, papastërti, pluhur dhe pa pajisje mbrojtëse.

“E, megjithatë, xehet e plumbit dhe zinkut nga këta gurë të nxjerrë në mënyrë primitive dhe me metoda të vështira përfundojnë në xhepin tonë, në teknologjitë moderne, siç janë: telefonat mobil që i përdorim. Plumbi dhe zinku i Trepçës përdoren edhe në bateritë e veturave. Këto kristale, të papërpunuara dhe ndriçuese, e shumë mbresëlënëse, janë më shumë se një mrekulli gjeologjike. Ato janë kalendar i historisë, dëshmitare të pafolura të mundit, rrjedha e moçme kohore e të cilave tashmë është ndërthurur me dekadat e fundit të rezistencës dhe çlirimit tonë.” – thuhet në Njoftim.

Minierën e Stantërgut, njëra nga më të vjetrat në kuadër të Kompleksit industrial “Trepça”, sipas Njoftimit të “Reporting House”, e ka zhvilluar një Ndërmarrje britanike minierash në vitet e 1920-ta, pak vite pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, mirëpo thuhet më tej në Njoftim gjatë Luftës së Dytë Botërore kontrollin e Trepçës e mori Gjermania Naziste, e cila e mbajti kontrollin e Minierës deri në 1944, kur erdhën në pushtet partizanët jugosllavë me të cilët filloi një epokë e re e mihjeve, që kishte për qëllim të nxjerrë sasi të mëdha xehesh me investime minimale.

Gjatë periudhës që njihet si epoka e artë e Trepçës, nga viti 1960 deri më 1981, punësimi u rrit nga 8,000 në 22,885 punëtorë në vitin 1988. Kur Millosheviqi filloi suprimimin e autonomisë së Kosovës brenda Jugosllavisë Trepça u bë Kryeqendër e demonstratave.

“Në vitin 1989, në nëntokën e Minierës, 1,200 minatorë organizuan grevë urie 8-ditore – qëllimi i së cilës ishte mbrojtja e Kushtetutës së Jugosllavisë, e vitit 1974. Ndonëse greva mori përmasa epike, ajo nuk arriti të ndalë shtypjen e paligjshme dhe u shndërrua në paralajmërim për shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë.” – thuhet në Njoftim.

Historikisht të dhënat për mihje në Trepçë datojnë qysh në Epokën Romake. Emri i Trepçës është paraqitur në një kartë papnore të vitit 1303.

“Në Stantërg është prodhuar xehja e plumbit, zinkut, argjendit dhe arit. Osmanët morën kontrollin e Minierës nga viti 1455. Si pasojë e shkatërrimit që pasoi gjatë Luftës së Lidhjes së Shenjtë aktiviteti minerar u shua në fund të shekullit XVII-të.” – thuhet në Njoftimin e “Reporting House”.

Ringjallja industriale e Trepçës në epokën moderne filloi me vlerësimet e depozitave të plumbit dhe zinkut në vitet e 1920-ta, me inicim të Nikolla Pashiqit, kryeministrit të Jugosllavisë dhe të birit të tij, Rade. Në kuadër të kësaj nisme pas përmbylljes së aktivitetit eksplorues më 1925 u arrit Marrëveshja 50-vjeçare e koncesionimit me “Selection Trust” – Ndërmarrje britanike për financim të Minierave.

Në vitin 1927 “Selection Trust” hapi filialin e saj në Londër të quajtur “Trepça Mines Limited”. Në vitin 1930 e filloi prodhimin dhe operoi me Minierën deri në Luftën e Dytë Botërore.

“Reporting House” është hapur më 10.06.2024 në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë.

“Reporting House” pasqyron punën e madhe që kanë bërë gazetarët vendorë e ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë.