Më 5 dhjetor 2025, në Reporting House u mbajt diskutimi “Mjekësia në rrethana të ‘pamundura’: sfidat, përvojat dhe sakrificat”, një bisedë e dedikuar mjekëve që shërbyen në kushte ekstreme para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në panel morën pjesë: Dr. Salih Krasniqi – kirurg laparaskopist, Dr. Feride Deliu – pediatre, Dr. Skender Murati – kirurg i përgjithshëm dhe abdominal, Dr. Xheladin Reçica – kirurg torakal dhe Dr. Cen Bytyqi – ortoped traumatolog.
Panelistët ndanë përjetimet e tyre nga vitet ’90: kushtet e vështira të punës në QKUK dhe raportet me personelin serb, organizimin paralel e të fshehtë të shëndetësisë, shërbimin në terren dhe improvizimin e spitaleve, udhëtimet e rrezikshme drejt zonave të luftimeve, mungesën e medikamenteve, kujdesin ndaj të plagosurve dhe koordinimin me njësitë lokale. Ata rikujtuan humbjen e kolegëve, si rastin e Dr. Shpëtim Robajt, si dhe rolin e mjekëve në shpëtimin e jetëve nën kërcënimin e përhershëm të luftës.