Të shtunën, më 27 shtator, në ora 15:30, Reporting House organizoi një shfaqje të dokumentarit “Trapped by Law” dhe një bisedë me regjisorin kosovar-rom që jeton në Francë, Sami Mustafa.
Filmi rrëfen historinë reale të dy vëllezërve, Kefaet dhe Selami, të cilët deportohen nga Gjermania në Kosovë – një vend që nuk e njohin dhe ku nuk flasin gjuhën. Një histori prekëse mbi ndarjen nga familja, rritjen në mërgim dhe sfidat e integrimit të detyruar, e xhiruar përgjatë tre vjetëve.
“Trapped by Law” është shpërblyer me çmimin e Filmit më të Mirë në Festivalin e Filmit të Nju Jorkut (2016) dhe Çmimin e Talentit të Ri në Festivalin Cottbus (2014).
Gjatë takimit, Mustafa ndau edhe detaje rreth projektit të tij të ri filmik, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, si dhe për edicionin e ardhshëm të Rolling Film Festival që do të organizohet nga kompania e tij, Romawood.