Dea Fejzullahu

Dea erdhi për herë të parë në muze gjatë një vizite shkollore. E prekur nga përjetimi, ajo vendosi të bëhej pjesë e muzeut në moshën 15-vjeçare, dhe është një nga vullnetaret tona më të përkushtuara. Frymëzimin më të madh e gjeti në këndin e Rezistencës, veçanërisht tek protesta “Bukë për Drenicën”, për të cilën nuk kishte dëgjuar më parë.

Dea përfaqëson një brez të ri që, edhe pse nuk e ka jetuar luftën, ndien përgjegjësi për ta kuptuar dhe ruajtur kujtimin e saj. Ajo dëshiron të kontribuojë në ruajtjen e historisë që mungon në librat shkollorë, por që jeton në këtë hapësirë plot të vërtetë dhe rezistencë.

Erdonita Ahmeti

Erdonita është koordinatore dhe hulumtuese në Reporting House, ku me shumë përkushtim dhe dashuri kujdeset për gjithçka që lidhet me muzeun — nga aktivitetet që ruajnë kujtesën e së kaluarës, te mbështetja e ekipit dhe krijimi i një ambienti të ngrohtë për vizitorët. Ajo beson se historia duhet të jetë e gjallë dhe e afërt me njerëzit, dhe punon çdo ditë për ta sjellë këtë ndjesi në hapësirën e muzeut.

Përveç kësaj, Erdonita është studente e Shkencave Kompjuterike dhe jep mësime private në matematikë, ndërkohë që menaxhon një biznes të vogël familjar të specializuar në ushqime tradicionale.

Krahas angazhimit në Reporting House, ajo ka punuar për tre vite në BIRN, në Departamentin e Administratës dhe Financave, si dhe ka shërbyer si asistente ekzekutive e drejtorit menaxhues në KiKxxl & evroTarget LLC, një qendër thirrjesh në Prishtinë.

Bleart Thaçi

Bleart Thaçi është historian, hulumtues kulturor, dhe student i nivelit Master në Universitetin e Prishtinës. Ai ka qenë i angazhuar në Reporting House fillimisht si vullnetar, ndërsa më pas është angazhuar si zyrtar për rrjete sociale dhe udhërrëfyes. Në kuadër të punës së tij, ka moderuar diskutime publike mbi historinë e Kosovës dhe trashëgiminë kulturore, si dhe ka organizuar shfaqje të filmave dokumentarë me fokus në luftën dhe krimet e luftës. Gjithashtu, ka kryer praktikën profesionale në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Blearti ka prezantuar punime shkencore origjinale mbi historinë e shqiptarëve në konferenca të organizuara nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Studimi i tij shkencor mbi emigracionin e diasporës shqiptare në ShBA është botuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë. Punimet dhe shkrimet e tij janë botuar në media ndërkombëtare, përfshirë gazeta dhe revista në Shtetet e Bashkuara, Australi, Angli, Skoci, Portugali, Shqipëri dhe Kosovë.

Dhuratë Bajrami

Dhuratë  Bajrami është udhërrëfyese në Reporting House. Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivelin Bachelor në Administratë Publike dhe aktualisht është në proces të diplomimit në nivelin Master në Departamentin e Shkencave Politike, drejtimi Studime Evropiane dhe Administratë Publike në Universitetin e Prishtinës. 

Përveç përgatitjes akademike, ajo ka përvojë profesionale në fushën e menaxhimit dhe administrimit, si dhe ka punuar si hulumtuese në terren. 

Gjithashtu  ka marrë pjesë në trajnime dhe punëtori të zhvilluara nga organizata vendore dhe ndërkombëtare si OSBE, NDI, Institutin Musine Kokalari, me fokus në rolin e të rinjve në dialog dhe politika publike.

Rea Kurtaj

Rea Kurtaj është menaxhere e hapësirës dhe udhërrëfyese në Reporting House në Prishtinë. Ajo menaxhon operacionet e përditshme të hapësirës, koordinon programet publike dhe udhëheq ture në gjuhën shqipe dhe angleze për vizitorë. Përmes punës së saj, ajo ndërmjetëson materialin historik dhe artistik të muzeut, duke krijuar hapësirë për reflektim mbi luften dhe kujtesën kolektive. Puna e saj përfshin organizimin e diskutimeve publike, shfaqjeve filmike dhe programeve edukative në bashkëpunim me artistë, kuratorë dhe ekspert të fushës.

Para angazhimit në Reporting House, Rea ka qenë e përfshirë në projekte të ndryshme artistike dhe kulturore në Kosovë. Ajo ka punuar në ARKIV-Institut për Art Bashkëkohor në Pejë, ku ka asistuar në koordinimin e programeve publike dhe mikpritjen e artistëve lokalë dhe ndërkombëtarë. Ka qenë gjithashtu pjesë e projektit të restaurimit të ndërtesës së Xhafer Devës në Mitrovicë, ku ka kontribuar në restaurimin e elementeve dekorative përmes proceseve të skulpturës dhe modelimit. Përvoja e saj përfshin edhe angazhimin në projekte filmike si asistente regjie dhe fotografe sheshxhirimi, ndërsa në festivalin Anibar është zhvilluar ndër vite nga vullnetare në koordinatore e jurisë. Përmes këtyre përvojave, ajo ka ndërtuar një praktikë të lidhur me artin bashkëkohor, filmin, fotografinë dhe ndërmjetësimin kulturor.

Rea Kurtaj ka studiuar Art dhe Media Digjitale në UBT-University for Business and Technology në Prishtinë, me fokus në instalacion, film, fotografi dhe praktikë artistike bashkëkohore. Puna e saj profesionale dhe kërkimore zhvillohet në ndërthurjen mes artit bashkëkohor dhe hapësirave publike të dialogut kulturor.

Vaughan Smith

Vaughan Smith është kameraman i pavarur i cili u plagos ndërsa po filmonte masakrën e Prekazit në vitin 1998. Plumbi goditi telefonin e tij mobil dhe mbeti i ngulitur aty, duke i shpëtuar jetën. Ai organizoi dhe xhiroi intervistën e parë pa maskë me një anëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovcin. Vaughan gjithashtu filmoi masakrën e Obriës dhe zbarkimin e parashutistëve britanikë në Kosovë me helikopter gjatë ndërhyrjes së NATO-s, pasi kishte hyrë fshehurazi në Kosovë në këmbë nga Maqedonia.

Vaughan ishte në rrugë për në aeroport me trupat britanike për t’u përballur me rusët, kur atyre iu kërkua të ktheheshin mbrapsht nga gjenerali britanik Sir Mike Jackson. Ai është një pionier në raportimin e lajmeve dhe themeloi Frontline Club në Londër në vitin 2003 si një ndërmarrje sociale për të mbështetur gazetarinë e pavarur dhe për të promovuar një kuptim më të mirë të lajmeve dhe raportimit ndërkombëtar.

Gjatë viteve 1990, Vaughan punoi si kameraman dhe gazetar i pavarur i lajmeve me video, duke mbuluar luftëra dhe konflikte në Irak, Afganistan, Bosnje, Çeçeni, Kosovë dhe vende të tjera. Gjatë kësaj kohe, ai themeloi dhe drejtoi Frontline News Television, një agjenci që përfaqësonte interesat e gazetarëve të rinj që synonin të zgjeronin kufijtë e profesionit të tyre. Gjatë atyre viteve të trazuara, të cilat nisën me rënien e komunizmit dhe zgjatën deri në sulmet e 11 shtatorit, gazetarët e pavarur të Frontline siguruan disa nga pamjet më të fuqishme të konflikteve në botë.

Vaughan vetë filmoi të vetmet pamje të pakensuruara të Luftës së Gjirit në vitin 1991, pasi kishte hyrë fshehurazi në një njësi aktive, i maskuar si oficer i Ushtrisë Britanike. Frontline News Television frymëzoi një brez të tërë gazetarësh të rinj të pavarur. Ky rrëfim u dokumentua së fundmi në librin “Frontline: Historia e Vërtetë e Rebelëve Britanikë që Ndryshuan Fytyrën e Gazetarisë së Luftës”, nga David Loyn i BBC-së.

Gazetarët e Frontline morën rreziqe të mëdha dhe tetë anëtarë apo ish-anëtarë të tyre u vranë gjatë punës në terren. Frontline Club është i përkushtuar ndaj kujtimit të tyre. Edhe vetë Vaughan është qëlluar dy herë, por ka shpëtuar vetëm me plagë të lehta. Si kameraman i pavarur, Vaughan ka fituar 28 çmime për lajmet, si individualisht ashtu edhe si pjesë e ekipeve. Shumë prej tyre i fitoi për “The Valley,” një film që ai prodhoi për Luftën në Kosovë, i cili mbetet një nga dokumentarët më të vlerësuar që është transmetuar në Channel 4 në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë kohës së Vaughan si profesionist i pavarur, Vaughan punoi për shumë nga kanalet më të mëdha televizive në botë dhe u bë një nga zërat kryesorë në mbrojtje të gazetarëve të pavarur që operojnë në zona lufte. Para se të themelonte Frontline, Vaughan ishte Kapiten në Gardën Grenadier të Ushtrisë Britanike, ku shërbeu në Irlandën e Veriut, Qipro dhe Gjermani. Ai ishte kapiten i ekipit të qitjes së Ushtrisë Britanike dhe fitoi Kampionatin e Qitjes së Ushtrisë.

Vaughan është kryetar i zgjedhur i Frontline Freelancers Register (FFR), një organizatë unike me mbi 1,500 anëtarë të regjistruar, e cila promovon gazetarinë e përgjegjshme dhe të sigurt dhe përfaqëson gazetarët e pavarur dhe lokalë në mbarë botën.

Gazmend Ejupi

Ejupi është një artist dhe kurator në Reporting House. Ai doli me idenë për të krijuar një ekspozitë që bashkon botën e artit dhe gazetarisë, e cila është karakteristikë e muzeut. Ai beson se videoja është një nga mjetet më të fuqishme që nga vitet 1960. Për të realizuar këtë ekspozitë, ai u mbështet në përvojën e tij si student në Prishtinë, duke marrë pjesë në protesta në fillim të viteve ’90, dhe si i tillë mendon se Prishtina mban një vend qenësor në rrëfimin më të gjerë të historisë evropiane të luftës. 

Ai shërben si prodekan në Fakultetin e Artit dhe Medias Digjitale në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, UBT, në Prishtinë, ku mentoron gjeneratën e ardhshme të artistëve dhe kuratorëve. Ai ka një diplomë Master në Arte dhe Hapësirë nga Universiteti Kingston në Mbretërinë e Bashkuar (2013) dhe një diplomë Bachelor në Arte të Bukura në Central Saint Martin College of Art and Design në Londër (2002-2005).

Një nga veprat më domethënëse të Ejupit është instalacioni “Qentë e Ngordhur që Ecin”, i prezantuar në vitin 2020 në Paper Gallery në Prishtinë. Kjo vepër eksploron vuajtjet e qenve endacakë dhe luftën e tyre të vazhdueshme për mbijetesë. Ai kombinon format tradicionale si piktura dhe skulptura, me një performancë video me një kor live, “Siparantum Choir”. 

Në instilacionin tjetër “Misioni i Ekzekutimit”, Ejupi përdor shishet si simbol të ekzekutimeve brutale gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, duke iu referuar konkretisht masakrës në Fortesë në vitin 1999, në të cilën ai punoi si përkthyes për mediat në Londër. 

Ai ka eksploruar vazhdimisht marrëdhënien midis artit dhe traumës kolektive. Si themelues i Paper Gallery dhe kurator i vazhdueshëm i Bienales së Prishtinës, ai kuron projekte që përqendrohen në identitetin dhe kujtesën pas konfliktit, duke ofruar një hapësirë për artistët që të adresojnë të kaluarën e dhimbshme të Kosovës. 

Jeta Xharra

Jeta Xharra është një nga gazetaret më të njohura në Ballkanin Perëndimor, e cila themeloi Reporting House në Kosovë ndërkohë që drejtonte organizatën më të madhe joqeveritare në vend, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), me 70 punonjës.

Ajo nisi karrierën e saj në gazetari duke punuar si asistente/producente lokale për BBC News në vitin 1998 dhe më vonë u bë menaxhere e Zyrës së BBC-së në Kosovë. Përmes këtij roli, ajo u njoh me shumicën e gazetarëve ndërkombëtarë që më vonë u bënë kontribuues të Reporting House. Ajo ishte producente lokale për BBC News gjatë xhirimeve ekskluzive të betejës në Prekaz më 6 mars 1998, së bashku me kameramanin Vaughan Smith, dhe përkthyese e një interviste të rrallë me Fehmi Lladrovcin, një luftëtar epik gueril, i cili u vra dy javë pasi intervista u transmetua në BBC.Njëzet e gjashtë vjet pas xhirimit të këtij materiali, ajo nisi digjitalizimin e gjithë arkivës së Kosovës të xhiruar nga Frontline TV News, e cila ishte ruajtur në gjendje të përsosur nga Vaughan Smith – kontribuuesi më i madh i Reporting House.

Në Kosovë, Jeta Xharra njihet më së shumti si autore dhe prezantuese kryesore e emisionit “Jeta në Kosovë”, që transmetohej në kohën më të shikuar në televizionin publik të Kosovës, RTK, i vetmi program i Kosovës i paraqitur në New York Times. Aktualisht, ajo është prezantuese e emisionit “Kallxo Përnime”, një program aktualiteti që transmetohet tri herë në javë në RTV Dukagjini.

Ajo ka diplomë master në Studime Lufte në King’s College London (2000) dhe ka diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Master për Skenar në London College of Printing (2002). Reporting House është përkthimi praktik i arsimimit të saj në histori dhe skenar, si dhe i përvojës në gazetari gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Xharra është gazetare hulumtuese që ka trajnuar gazetarë në situata konflikti dhe pas-konflikti në Liban dhe Ukrainë (2017 dhe 2023).

Ajo ka përvojë në moderimin e mbi 550 debateve publike me panelistë nga partitë politike, shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi që nga viti 2004, dhe është ligjëruese dhe folëse me përvojë në shumë forume ndërkombëtare.

Xharra ka publikuar një artikull në faqen e parë të gazetës The Independent dhe ka shkruar për The Economist, Sunday Telegraph dhe Jane’s Intelligence Review (1999–2004). Gjatë qëndrimit në Mbretërine e Bashkuar, ajo punoi në Departamentin e Planifikimit të Lajmeve të Jashtme në BBC World Service (1999–2004), në Institute for War and Peace Reporting dhe në vitin 2005 u bë një nga themelueset e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

Në vitin 2012, Organizata për Media në Evropën Juglindore (SEEMO) e shpalli Jeta Xharrën fituese të çmimit Dr. Erhard Busek – SEEMO Award për mirëkuptim më të mirë në Evropën Juglindore. Ndërsa në vitin 2021, ajo fitoi çmimin e Bashkimit Evropian për Storien më të mirë hulumtuese në Kosovë.